Shkroi: Fatbardh Dema
Përmes një video-materiali në të cilin shfaqet një helikopter, pretendohet se i njëjti i është dhuruar Kosovës nga Turqia.
Ky pretendim u publikua në formë postimi në TikTok nga llogaria “forca.kosovesfsk”.
Çka gjeti hibrid.info?
Pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se helikopteri që shfaqet në pamje është prodhim amerikan dhe se një model të tillë nuk e posedon Turqia.

Duke përdorur programin e automatizuar “InVID”, hibrid.info gjeti videon e njëjtë të publikuar në vitin 2023 në disa llogari në gjuhën angleze në X dhe TikTok, e në bazë të përshkrimit të këtyre videove u vërtetua se bëhet fjalë për një helikopter që njihet me emrin “MH-47 Chinook”.
Pas hulumtimit në lidhje me këtë lloj helikopteri, u gjet se i njëjti është prodhim amerikan dhe këtë lloj nuk e posedon ushtria turke.
Në një artikull të publikuar në vitin 2019 në mediumin turk “Dailysabah.com”, sqarohet se atëkohë Turqia kishte pranuar helikopterë të transportit të rëndë CH-47 Chinook nga SHBA-të, i cili është i ngjashëm me modelin MH-47 Chinook.
Përveç këtyre fakteve të paraqitura më lartë, hibrid.info ka kërkuar edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë – në rubrikën “Lajme”, por që gjithashtu nuk ka hasur në ndonjë informacion të tillë që argumenton se Turqia i ka dhuruar Kosovës helikopter.
Analiza:
Një video e publikuar në rrjetin social TikTok nga llogaria “forca.kosovesfsk” pretendon se një helikopter i është dhuruar Kosovës nga Turqia. Ky pretendim është verifikuar nga hibrid.info dhe u vërtetua se rezulton të jetë i pasaktë.
Pas hulumtimit online, u gjet videoja e njëjtë, e publikuar që në vitin 2023 në disa llogari në gjuhën angleze në platformat X dhe TikTok, pa ndonjë lidhje me Kosovën apo me ndonjë dhurim nga Turqia.
Helikopteri që shfaqet në video është i tipit MH-47 Chinook, një model i prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, e të cilin nuk e posedon Turqia.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë pretendim si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.